Aktualitet, Kreu, Politike

‘Ushtria’ e Veliaj në zyrën e shtypit: Ja sa vetë paguhen për të pasqyruar punët e bashkisë në publik

Bashkia e Tiranës është vënë këto ditë në qendër të kritikave për mënyrën se si ka organizuar marrëdhëniet me publikun. Në shumicën e rasteve Bashkia e Tiranës dërgon nëpër redaksi pamje dhe njoftime të gatshme dhe nuk njofton gazetarët e sociales që të ndjekin vetë aktivitetet e kryetarit Erion Veliaj.

Po kështu edhe në rrjetet sociale, faqja e kryebashkiakut është mjaft aktive, si në facebook, twitter dhe instagram. Nga një sondazh që realizoi Opinion.al, Veliaj u rendit i treti, si politikani më aktiv, pas Berishës dhe Ramës. Kjo shpeshti postimesh të bën të mendosh se ato bëhen nga zëdhënësat e tij.

Duke parë gjithë këtë zell të Bashkisë së Tiranës për të qenë prezent në publik dhe kryesisht duke ngritur mitin e një Kryetari “superman” që bën gjithçka vetë, me punë ditë e natë, BIRN ka shkuar edhe më tej, duke dashur të dijë se sa vetë punonjë për imazhin e Kryetarit dhe të Bashkisë së Tiranës.

BIRN shkruan se sipas informacionit të ofruar nga Bashkia e Tiranës, Drejtoria e Përgjithshme e Komunikimit dhe Marrëdhënieve me Publikun në Bashki përbëhet nga 3 drejtori të tjera të ndara në 6 sektorë të ndryshëm.

Kështu super drejtoria ndahet në: 1.Drejtoria e Informacionit, 2.Drejtoria e Komunikimit me Qytetarët, 3. Drejtoria e Protokollit dhe Marrëdhënieve me Jashtë. Së bashku me drejtorin e përgjithshëm, këto tre drejtori kanë 43 punonjës, ku përfshihen 3 drejtorë, 5 përgjegjës sektori dhe 34 specialistë.

Në mënyrë të drejtpërdrejtë me mediat merret Drejtoria e Informacionit. Kjo drejtori ka 17 punonjës, ku përveç drejtorit përfshihen dhe tre përgjegjës sektori. Pjesë përbërëse të kësaj drejtorie janë sektori i marrëdhënies me median, sektori i marrëdhënieve me publikun, sektori i komunikimit dixhital online dhe sektori i menaxhimit të aktiviteteve.

“Është pikërisht ky sektor, me punonjësit dhe mjetet teknike dhe financiare të vendosura në funksion të tij, që administron prezencën në media dhe rrjete sociale të kryetarit të Bashkisë së Tiranës si dhe të institucionit që ai drejton. Përveç këtij grupi drejtorësh dhe specialistësh, kryetari i Bashkisë Erion Veliaj ka dhe një këshilltar për median në kabinetin e tij”, shkruan BIRN.

Pra 17 punonjës për të kuruar imazhin e kryetarit Veliaj në publik. Kaq staf nuk e kanë pjesa më e madhe e redaksive të lajmeve në mediat vizive apo të shkruara në vend. /Riviera Dedaj-Opinion.al

https://www.reporter.al/ekspozohet-aparati-i-pr-it-te-bashkise-se-tiranes/ Raporti i BIRN

Lajmi paraLajmi Pas

Leave a Reply

%d bloggers like this: